Çfarë është lindja me operacion apo prerja cezariane?

Lindja me prerje cezariane është një ndërhyrje kirurgjike në mitër përmes së cilës foshnja juaj lind. Kjo lindje ka indikacion të realizohet vetëm atëherë kur lindja natyrale e vë në rrezik shëndetin e nënës dhe fëmijës.

Lindja me operacion apo prerje cezariane mund te planifikohet.

Kjo do të thotë që ju dhe mjeku juaj vendosni dhe e planifikoni se kur duhet të ndodhë lindja me operacion, kjo në bazë të shëndetit tuaj dhe shëndetit të frytit/foshnjës tuaj. Lindja me operacion mund të jetë një prerje emergjente. Kjo ndodh kur Ju  keni nevojë për lindje me operacion menjëherë sepse shëndeti juaj ose shëndeti i frytit/foshnjës tuaj është në rrezik. Prerja cezariane duhet të bëhet vetëm për arsye mjekësore.

Cilat janë rreziqet e lindjes me operacion “Prerja Cezariane”?

Prerja cezariane është operacion i madh, kështu që mund të ketë më shumë komplikime  për ju sesa lindja vaginale, duke përfshirë:

Prerja juaj (plaga), mitra dhe pjesë të tjera të trupit tuaj, si barku dhe fshikëza, mund të infektohen.

Ju mund të humbni shumë gjak dhe keni nevojë për transfuzion.

Organet pranë mitrës, si fshikëza dhe zorrët, mund të lëndohen gjatë operacionit.

Mund të krijohet mpiksja e gjakut në këmbët tuaja, në organet e legenit ose në mushkëri.

Mund të keni reagime të këqija ndaj medikamenteve të caktuara, duke përfshirë anestezionin që merrni gjatë operacionit.

Mund të keni një embolizëm amniotik të lëngjeve. Kjo është një gjendje e rrallë që ndodh zakonisht gjatë ose pas lindjes së vështirë. Kjo ndodh kur disa nga qelizat e foshnjës tuaj, flokët ose lëngu amniotik (lëngu që e rrethon fëmijën tuaj në mitër) futet në gjakun tuaj dhe lëviz në mushkëritë tuaja.

Edhe pse është e rrallë, ju keni më shumë gjasa të vdisni gjatë një lindje me operacion se sa një lindje natyrale vaginale.

Lindja me operacion mund të shkaktojë komplikime për ju edhe pas lindjes.

Për shembull:

Ju mund të keni probleme me ushqyerjen me gji. Gratë që kanë një lindje me operacion mund të kenë më pak gjasa të ushqejnë foshnjat e tyre me gji se sa gratë që kanë një lindje natyrale  vaginale. Bisedoni me mjekun apo maminë tuaj për të filluar ushqyerjen me gji sa më shpejt që të jetë e mundur pas lindjes me operacion.

Mund të shkaktojë probleme në shtatzënitë e ardhshme. Pasi të keni një lindje me operacion, mund të keni më shumë shanse në shtatzënitë e ardhshme që të vazhdoni lindjet përsëri me operacion. Sa më shumë lindje me operacion që të keni, aq më shumë probleme mund të keni ju dhe fëmija juaj, përfshirë problemet me placentën.

Disa gra që kanë pasur lindje me operacion mund të kenë një lindje natyrale vaginale pas prerjes cezariane (i quajtur edhe VBAC). VBAC nuk është e sigurt për të gjitha gratë. Nëse shtatzënia juaj është e shëndetshme dhe planifikoni të keni më shumë fëmijë më vonë, është më mirë që të kryeni lindjet  nëpërmjet rrugëve natyrale vaginale, kuptohet vetëm nëse nuk ka arsye mjekësore për të pasur një mënyrë tjetër të lindjes (lindje me operacion).

Lindja me operacion mund të shkaktojë probleme për fëmijën tuaj, duke përfshirë:

Foshnja juaj mund të lindë para javës së 39-të. Bebet duhet të paktën të qëndrojnë  39 javë në mitër dhe të zhvillohen para se të lindin. Nëse keni prerje cezariane shumë herët, fëmija juaj mund të lindë i parakohshëm (para javës së 37-të të shtatzënisë). Kjo mund të shkaktojë probleme shëndetësore për fëmijën tuaj në lindje dhe më vonë në jetë.

Fëmija juaj mund të ketë probleme të frymëmarrjes dhe probleme të tjera shëndetësore

Fëmija juaj mund të preket nga anestezioni që merrni gjatë lindjes me operacion. Kjo mund të bëjë që ai të jetë joaktiv ose i ngadaltë.

Fëmija juaj mund të lëndohet gjatë operacionit.

Çfarë ndodh gjatë një prerje cezariane?

Anestezioni: Ka shumë të ngjarë që mund të keni një anestezion (si një bllok epidural ose kurrizor) që ju lejon të qëndroni zgjuar gjatë lindjes së fëmijës tuaj. Kjo do të thotë që ju jeni të mpirë nga poshtë gjoksit tuaj deri në fund të këmbëve tuaja. Nëse keni një lindje emergjente me operacion, atëherë ju mund të keni nevojë për anestezion. Anestezioni i përgjithshëm ju bën të fleni gjatë operacionit.

Para operacionit:

Infermierja ju pastron dhe mund të depiloj barkun tuaj kështu që zona është e pastër për kirurgji.

Ju vendoset një kateter në fshikëzën tuaj për të shkarkuar urinën.

Ju vendoset  një kanilë (gjilpërë) në dorën tuaj ose në krah për t'ju dhënë lëngje infuzive dhe ilaçe.

Gjatë operacionit:

Kur jeni i mpirë, mjeku e bën prerjen e parë në bark. Në shumicën e rasteve, është një prerje e ulët e tërthortë (e quajtur edhe një prerje bikini) që shkon përgjatë barkut tuaj, vetëm mbi kockën tuaj pubike.

Mjeku e bën prerjen tjetër në mitër. Një prerje horizontale është më e mira sepse nuk rrjedh shumë. Ndonjëherë mjeku duhet të bëjë një prerje vertikale (lart e poshtë) për shkak të madhësisë ose pozitës së foshnjës.

Mjeku hap qesen amniotike dhe nxjerr fëmijën. Mund të ndiheni duke ju tërhequr, duke tërhequr frytin/foshnjën dhe duke bërë presion.

Mjeku heq kordonin e kërthizës dhe heq placentën.

Mjeku i mbyll prerjet me qepje.

Çfarë është rikuperimi pas një lindje cezariane?

Zakonisht zgjat më shumë që të shëroheni nga një lindje cezariane se nga lindja vaginale. Ju duhet të prisni të qëndroni në spital 2 deri në 4 ditë pas një operacioni cezarian. Ndërsa shërimi i plotë zakonisht zgjat 4-6 javë.

Ja se çfarë mund të bëni për t'u ndjerë më mirë:

Bisedoni me mjekun tuaj rreth menaxhimit të dhimbjes. Ai mund të rekomandoj preparate që nuk do të dëmtojnë fëmijën gjatë kohës që jeni duke ushqyer me gji.

Nëse mjeku ju thotë se është në rregull, ngrituni nga shtrati dhe shëtisni brenda 24 orëve pas operacionit. Kjo mund t'ju ndihmojë të keni një lëvizje të zorrëve dhe të parandaloni mpiksjen e gjakut. Sigurohuni që një infermiere ose një tjetër i rritur të jetë atje për t'ju ndihmuar herën e parë që ngriteni  nga shtrati.

Telefononi mjekun tuaj nëse keni ethe ose nëse prerja juaj nuk po shërohet, është e dhimbshme ose bëhet gjithnjë e më e kuqe. Këto mund të jenë shenja të infeksionit.

Për të parandaluar infeksionin, mos bëni seks dhe mos vendosni ndonjë gjë (duke përfshirë tamponët) në vaginën tuaj për disa javë pas operacionit cezarian. Pyesni mjekun tuaj, se kur është e sigurt për t'i bërë këto gjëra përsëri.

Shmangni aktivitete të vështira. Mundohuni të flini kur fëmija juaj është në gjumë.

Si mund të jeni gati për një prerje cezariane ose lindje me operacion?

Ja se çfarë mund të bëni për t'u përgatitur për lindjen me operacion:

Pyetni  mjekun tuaj se çfarë duhet të presim nga anestezioni si dhe rreth llojeve të ndryshme të anestezisë. Bisedoni me miqtë dhe anëtarët e familjes të cilët kanë pasur një lindje me operacion.

Merrni ndihmë në shtëpi. Kërkojuni miqve ose familjes të jenë atje pas lindjes së fëmijës tuaj për të ndihmuar të kujdeseni për foshnjën, fëmijët e tjerë dhe detyrat shtëpiake.

Pyetni nëse partneri juaj mund të jetë me ju në sallën e operacionit.

Tregojini mjekut tuaj dhe infermiereve se doni të mbani fëmijën tuaj menjëherë pas lindjes.

Po sikur të ndiheni keq sepse do të ju duhet të lindni me operacion?

Disa gra që kanë një lindje me operacion mund të ndihen të zhgënjyer që nuk kanë lindur në rrugët vaginale. Nëse ndjeheni e zhgënjyer, e zemëruar ose e dëshpëruar pas një lindje me operacion, kjo është ajo që mund të bëni:

Mos harroni se të kesh një fëmijë të shëndetshëm është më e rëndësishme sesa vet mënyra e lindjes  së fëmijës.

Pyesni mjekun tuaj të ju shpjegojë se pse keni nevojë për një lindje me operacion. Kjo mund t'ju ndihmojë të kuptoni se pse ishte më mirë për ju dhe fëmijën tuaj lindja me operacion.

Mos harroni se nuk mund të kontrolloni gjithçka. Ndonjëherë ngjarje të papritura bëjnë që një operacion të jetë zgjedhja më e sigurt.

Mos u shqetësoni nëse jeni më shumë  emocional e apo e ndjeshme pas lindjes së fëmijës suaj. Disa nga ndjenjat tuaja mund të shkaktohen nga ndryshimet hormonale që shumë gra përjetojnë pas lindjes së fëmijës. Ndani ndjenjat tuaja me partnerin, familjen, miqtë ose mjekun tuaj.

Nëse keni ndjenja trishtimi apo zemërimi që nuk largohen pas 2 javësh, tregoni mjekut tuaj.

Materiali është marrë nga March of Dimes

Category: Lindja

Ligjërata mbi temën Lindja

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit