Udhëzime për të ushqyerit me qumësht gjiri

Të ushqyerit me gji: udhëzues hap-pas-hapi

Edhe pse të ushqyerit me gji është proces natyral, për disa nëna mund të jetë e vështirë në fillim. Mund t’ju nevojitet kohë dhe praktikë. Jeni të durueshme dhe jepini kohë vetes dhe foshnjës suaj që të mësoheni me të ushqyerit me gji. Provoni të ndiqni këta tre hapa që t’ju ndihmojnë t’ia filloni, dhe vizitoni faqet tona tjera në zgjidhja e problemeve të zakonshme.

Gjeni një pozitë të përshtatshme

Nëse jeni e ulur, ju mund të përdorni një jastëk që të absorbojë peshën e foshnjës në mënyrë që duart tuaja të jenë më të pushueshme. Nëse qëndroni e shtrirë, përdorni skajet e shtratit apo jastëk që të mbështesin shpinën dhe krahët tuaja. Nëse jeni e shtrirë në njërën anë, vendosni një jastëk nën kokën tuaj. Më poshtë mund të shihni disa fotografi të një mori pozitash që ju mund të provoni.

2.Ndihmoni foshnjën tuaj që të mësohet të gjejë thithkën

Goja e foshnjës duhet të mbulojë thithkën dhe areolën (pjesën e errët të gjirit). Buza e poshtme e foshnjës dhe gjuha duhet të prekin gjirin të parat, dhe duhet të jetë sa më larg thithkës në fillim. Nëse jeni ulur apo shtrirë, afroni foshnjën afër gjirit, që të jetë përballë thithkës, dhe të mos ketë nevojë të kthejë kokën për ta kapur. Hunda, e jo goja, duhet të jetë në vijë me thithkën. Kjo i jep foshnjës hapësirë që të levizë kokën prapa para se të kapet për t’u ushqyer me gji. Ajo duhet të mbajë mjekrrën përpara dhe të hapë gojën mjaftueshëm për t’u kapur. Me kokën e përkulur prapa, buzët e saj tashmë do të prekin thithkën tuaj. Fotografitë në të djathtë tregojnë se si të arrini një kapje të saktë të foshnjës për t’u ushqyer me gji.

Ju poashtu mund të shikoni videot e mëposhtme që të shihni si të arrini një kapje të saktë.

Përderisa është më së miri që të leni foshnjën të përfundojë të ushqyerit me gji, nëse ju duhet që të ndaloni, mos e tërhiqni foshnjën prapa pasi kjo mund të dëmtojë thithkën tuaj. Vetëm fusni njërin gisht në skajin e gojës apo buzës së foshnjës që të ndaloni thithjen.

3.Bëni foshnjën tuaj të gromësijë

 Preferohet që ta bëni foshnjën të gromësijë kur doni ta ushqeni me gjirin tjetër, sidomos nëse pështyjnë shpesh apo kanë gazra. Bëni foshnjën të gromësijë diku rreth gjysmës së kohës të të ushqyerit me gji nëse ajo nuk ndihet rehat gjatë kësaj periudhe (lëviz pa pushim, tërhiqet apo qanë). Më poshtë mund të shihni tri pozita të ndryshme që mund të bëni foshnjën të gromësijë.

Në krahë

  1. Mbani foshnjën në kraharorin tuaj ashtu që mjekra e saj të pushojë në krahun tuaj.
  2. Mbështetni kokën dhe krahët e saj me dorë.
  3. Fërkoni lehtë apo ledhatoni shpinën.

Në prehër

  1. Shtrini foshnjën në këmbët tuaja me kokën poshtë, në atë mënyrë që foshnja të qëndrojë përgjatë gjunjëve tuaj.
  2. Mbështetni mjekrën dhe nofullën e foshnjës me njërën dorë.
  3. Mbani kokën e foshnjës pak më lartë sesa pjesa tjetër e trupit, ashtu që të mos i bie gjaku në kokë.
  4. Fërkoni lehtë apo ledhatoni shpinën e foshnjës suaj me njërën dorë.
You might be interested:  Muaji i tetë

E ulur

  1. Ulni foshnjën në prehrin tuaj me fytyrën në drejtim të kundërt nga ju.
  2. Përdorni njërën dorë që të mbështesni trupin e foshnjës, ku shuplaka e dorës mbështet kraharorin përderisa gishtat tuaj butësisht mbështesin mjekrën dhe nofullën. Mbani gishtat tuaj sa më larg fytit të foshnjës.
  3. Përkulni foshnjën pak përpara dhe butësisht fërkoni apo ledhatoni shpinën me dorën tjetër.

Kujdesi për foshnjën sipas moshës

Mosha Karakteristikat e të ushqyerit me gji

 

0 deri në 2 javë Të ushqyerit me gji: ju duhet të kujdeseni për foshnjën sipas kërkesave të saj p.sh. kurdo dhe sido që ajo të dëshirojë. Mesatarisht foshnja duhet të ushqehet çdo 3-4 orë (8-12 herë në ditë) për 20 minuta në secilin gji (edhe pse foshnja juaj nganjëherë mund të ushqehet edhe për një orë të tërë apo më shumë). Nëse foshnja është e përgjumur dhe fle kur është në gji brenda disa minutash, zgjoni që të vazhdojë ushqyerjen. Kur foshnja të përfundojë së ushqyeri me njërin gji, ofrojani gjirin tjetër por mos u brengosni nëse ajo nuk dëshiron të ushqehet më. “Ushqyerja e grumbulluar”, kur disa të ushqyera që nuk kanë qenë të plota mblidhen dhe foshnja ushqehet një herë në ditë për kohë më të gjatë, është mjaft e zakonshme.

Ndotja e pelenave: në javën e parë, një pelenë të lagur dhe një pelenë të ndotur në ditë deri në ditën e 3-5. Në javën e dytë, 4-6 pelena të lagura dhe 3-6 pelena të ndotura në ditë. Jashtëqitja në ditët e para është e errët, por deri në ditën e pestë do të çelet dhe kthehet në ngjyrë të verdhë. Forma e nevojës ngjan në formën e gjalpit të kikirikëve apo gjizës, dhe aroma është mjaft e butë. Që të siguroheni që foshnja po merr mjaftueshëm qumësht, numërimi i pelenave të ndotura është më i rëndësishëm sesa numërimi i atyre të lagura.

Shtimi në peshë: Foshnja duhet të kthehet në peshën e lindjes brenda dy javësh (të porsalindurat humbin 7-10% të peshës së lindjes në 48 orët e para).

2 deri në 6 javë Të ushqyerit me gji: Vazhdoni të ushqeni foshnjën me gji sipas kërkesës dhe sa më shpesh që të mundeni. Foshnja mund të mos ushqehet për një kohë më të gjatë ndonjëherë por duhet të siguroheni që ta ushqeni rreth 8 herë brenda 24 orëve. Mos ndiqni një ‘orar strikt’ dhe ushqeni foshnjën kur ajo të dëshirojë. Disa foshnje ushqehen shumë më tepër se disa tjera për shkak se ato janë më të shkathta dhe kanë më shumë uri apo nëna prodhon më shumë qumësht se normalisht. Të ushqyerit e shpeshtë me gji ju ndihmon në prodhimin e qumështit. Ushqimi i grumbulluar edhe në këtë moshë është mjaft i zakonshëm. Foshnjat tashmë fillojnë të mësohen me të ushqyerit me gji dhe poashtu kohëzgjatja e saj fillon të shkurtohet.

Ndotja e pelenave: 5-6 pelena të lagura, 3-4 pelena të ndotura në ditë. Urina duhet të ketë ngjyrë të çelët dhe të jetë pa erë. Nevoja duhet të ketë ngjyrë të verdhë dhe formë të lëngshme apo të butë.

Shtimi në peshë: Mesatarisht, foshnjat shtojnë rreth 170 gramë në javë, por foshnja juaj mund të shtojë më pak apo më shumë. Pediatri i foshnjës suaj do të mbikëqyrë shtimin e peshës së saj.

6 javë deri në 4 muaj Të ushqyerit me gji: tashmë ju së bashku me foshnjën duhet të jeni mësuar me të ushqyerit me gji dhe ushqyerja është më e rregullt. Ushqeni foshnjën 6-8 herë gjatë 24 orëve.

Ndotja e pelenave: kur foshnja të mbushë 6 javë, jashtëqitja e saj do të rrallohet dukshëm në rreth një herë ne ditë, por ka raste që foshnjat të kalojnë disa ditë pa pasur fare jashtëqitje. Kjo ndodh pasi që qumështi i gjirit ka shumë pak mbetje të forta që duhet të largohen nga sistemi i tretjes së foshnjës. Kjo nuk do të thotë që ju t’i jepni edhe formulë, çajra, lëngje nga frutat e bluara apo ushqime tjera. Provoni ta ushqeni më shpesh, dhe poashtu bëni masazh të lehtë në bark dhe lëvizjani këmbët.

Shtimi në peshë: shtimi mesatar i peshës vazhdon të jetë rreth 170 gramë në javë por mjeku i foshnjës suaj do të mbikëqyrë shtimin e peshës së saj. Pesha e lindjes zakonisht dyfishohet pas 4-6 muajsh. Përdorni grafikun e OBSH-së këtu që të ndiqni progresin e foshnjës suaj.

4 deri në 9 muaj Të ushqyerit me gji: ju tashmë jeni aftësuar edhe më shumë në ushqyerjen me gji dhe nuk do t’ju zgjasë më shumë se pesë minuta. Foshnja juaj do të vendos se sa shpesh do ta ushqeni me gji, por numri i përgjithshëm zakonisht shënon rënie në këtë moshë. Foshnjat me shumë gjasa do të jenë më nervoze dhe më të prekshme gjatë ushqyerjes me gji, dhe kjo mund t’ju bezdisë, kështu që përpiquni ta shpërqendroni që të mos iu bëhet shprehi.

Ndotja e pelenave: njejtë si në 6 javë deri në 4 muaj.

Shtimi në peshë: ndërmjet 4-7 muajve, shtimi i peshës do të ulet në rreth 120 gramë në javë, dhe nga 7-9 muaj në rreth 80 gramë në javë. Përdorni grafikun e OBSH-së këtu që të ndiqni progresin e foshnjës suaj.

9 deri në 18 muaj Të ushqyerit me gji: disa të ushqyera nuk do të zgjasin më shumë se disa minuta dhe numri i tyre do të varet kryesisht nga foshnja, por zakonisht ky numër shënon rënie në këtë moshë. Shumica e foshnjave tashmë fillojnë të hanë ushqime të forta edhe/ose disa prej tyre mund të mos fillojnë këtë deri sa të jenë 12-muajsh. Tashmë ushqimet e ngurta do të bëhen një aspekt mjaft i rëndësishëm i dietës së foshnjës, sasia e të ushqyerit me gji me shumë gjasa do të shënojë rënie, por foshnja prapë do të marrë shumicën e elementeve thelbësore nga qumështi i gjirit.

Shtimi në peshë: do të shënojë rënie ndërmjet muajve 9-12 në rreth 65 gramë në javë. Përdorni grafikun e OBSH-së këtu që të ndiqni progresin e foshnjës suaj.

1 deri në 3 vjeç Të ushqyerit me gji: numri i ushqimeve me gji dhe gjatësia e tyre do të varen shumë nga foshnja; disa duan të ushqehen më shpesh përderisa disa foshnje tjera duan të ushqehen vetëm një apo dy herë në ditë. Sasia e qumështit që ju prodhoni do të varet nga sasia që konsumon fëmija. Nëse fëmija juaj është i sëmurë apo i shqetësuar me shumë gjasë do të kërkojë të ushqehet më shpesh.

Shtimi në peshë: përdorni grafikun e OBSH-së këtu që të ndiqni progresin e foshnjës suaj.

Shtrydhja e gjoksit: udhëzues hap-pas-hapi

Shtrydhja e gjoksit ndihmon që më shumë qumësht të shtyhet në gojën e foshnjës dhe ajo të pijë qumështin në vend se të thithë atë. Kjo teknikë mund të jetë e dobishme:

  • Kur foshnja nuk shton mjaftueshëm peshë.
  • Për të lehtësuar dhimbjet e barkut të foshnjës që ushqehet me gji.
  • Të ushqyera më të shpeshta/më të gjata.
  • Nëse nëna i ka thithkat e ënjtura.
  • Kur kanalet të bllokohen shpesh dhe në rast të mastitit (pezmatim i gjoksit).
  • Që të inkurajoni foshnjën që fle gjatë ushqyerjes që të vazhdojë të pijë qumështin e jo vetëm ta thithë.

Si ta bëj shtrydhjen e gjoksit

  • Mbani foshnjën me njërën dorë.
  • Mbështetni gjoksin tuaj me dorën tjetër, kapni duke e vendosur gishtin e madh në njërën anë të gjoksit (vendosja e gishtit të madh në pjesën e sipërme të gjirit është mënyra më e lehtë), dhe gishtat tjerë në anën tjetër, afër murit të kraharorit.
  • Vështroni pirjen e qumështit nga foshnja. Kur foshnja vetëm dëshiron të luajë dhe të mos pijë dhe hap e mbyll gojën duke dhënë shenja që dëshiron ende, shtrydhni gjoksin që të rrisni presioni e brendshëm në gji. Mos i lëvizni gishtat drejt gojës së foshnjës, vetëm shtrydhni dhe mbani ashtu. Mos shtrydhni fort që të ju dhembë dhe mos tentoni të ndryshoni formën e areolës (pjesa e errët e gjirit afër gojës së foshnjës). Pas shtrydhjës, foshnja duhet të fillojë të pijë përsëri duke thithur dhe duke e hapur e mbyllur gojën me pauza ndërmjet.
  • Vazhdoni të shtrydhni deri sa foshnja vazhdon të thithë e të mos pijë, dhe pastaj mos e shtrydhni më. Ndaloni shtrydhjën nëse foshnja nuk thithë më apo kthehet në thithjën pa pirë qumësht. Shpesh foshnja do të ndalojë thithjën plotësisht kur ju të ndaloni shtrydhjën e gjoksit, por do të vazhdojë të thithë përsëri pas pak kur qumështi të fillojë të rrjedhë prapë. Nëse foshnja nuk ndalon thithjën pasi ju të mos e shtrydhni më gjoksin, prisni pak dhe shtrydhni gjoksin përsëri.
  • Ndalimi i shtrydhjes bëhet për arsye që ju të lini dorën tuaj të pushojë dhe të lejoni qumështin të fillojë të rrjedhë përsëri për foshnjën. Nëse foshnja ndalon thithjën kur ju të mos e shtrydhni më gjoksin, ajo do të fillojë të thithë përsëri nëse ndjen se nga thithka po rrjedh qumësht.
  • Kur foshnja të fillojë të thithë përsëri, ajo mund të pijë (duke hapur dhe mbyllur gojën me pauza). Nëse jo, shtrydhni përsëri gjoksin si më lartë.
  • Vazhdoni ta ushqeni foshnjën me njërin gji deri kur foshnja të mos pijë edhe pas shtrydhjës së gjoksit. Ju duhet ta lini foshnjën në atë anë edhe për një kohë të shkurtër pasi që ndonjëherë ju mund të keni rrjedhje të qumështit dhe foshnja mund të fillojë të pijë përsëri. Nëse foshnja nuk ushqehet më, lejoni atë që të largohet vetë apo hiqeni nga gjiri.
  • Punoni që të përmirësoheni në kapjën e foshnjës në gji.
  • Mbani mend, shtrydheni gjoksin kur foshnja thithë por nuk pi. Prisni foshnjën që të fillojë thithjën, preferohet që ju të filloni shtrydhjën e gjoksit kur foshnja të ketë ndaluar plotësisht së thithuri.
  • Nëse gjeni ndonjë mënyrë që ta bëni foshnjën të pijë, përdorni çfarëdo forme që funksionon më së miri për ju dhe foshnjën tuaj, përderisa ju nuk e dëmtoni gjoksin tuaj apo nuk keni dhimbje.

Ju nuk do të duhet ta bëni këtë përgjithmonë. Përderisa ju dhe foshnja të aftësoheni në të ushqyerit me gji, kjo do të jetë një procedurë që do të rrjedh shumë natyrshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Related Post

Muaji i tetëMuaji i tetë

Si po ndryshon trupi im? Nëse shtatzënia juaj është e shëndoshë, pritni që dhimbjet të fillojnë vetvetiu. Nëse vendosni për një lindje të induktuar (të nxitur nga ju për tu